Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dalë me një sqarim rreth sëmundjes Ethet Hemorragjike Krime-Kong, e cila bartet nga kafshët te njerëzit.
Në sqarimin e AUV thuhet se sëmundja Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK) është një sëmundje zoonotike, e cila bartet nga kafshët te njerëzit. Sipas AUV-së rriqrat, si bartës të virusit, janë përgjegjës për infektimin e njerëzve, dhe në raste të shfaqjes së saj, mund të ketë edhe humbje jetësh.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zbatuar Projektin Ndërqeveritar për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në komunat endemike si Malisheva, Rahoveci dhe disa fshatra të komunës së Klinës dhe Suharekës, përmes realizimit të aktivitetit të repelimit të kafshëve në fermat blegtorale”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se preparati i përdorur në këtë aktivitet ka qenë “Deltanil Pour-On”, nga prodhuesi Virbac, Francë.
“Ky është një produkt veterinar i regjistruar në Regjistrin e Produkteve Medicinale Veterinare dhe përdoret kryesisht për kontrollin e ektoparazitëve te kafshët në ferma. Preparati është përdorur për repelimin e kafshëve si masë parandaluese kundër EHKK-së”, bëhet e ditur në njoftim.
AUV më tej, thekson se substanca aktive e këtij preparati është Deltamethrin, e cila ka veprim insekticid dhe akaricid, duke ndikuar në parandalimin dhe largimin e parazitëve të jashtëm si rriqrat, mizat dhe morrat te kafshët shtëpiake: gjedhët, delet dhe dhitë (dythundrakët), dhe në raste të veçanta, edhe te kuajt (njëthundrakët).
Sipas AUV, preparati i përdorur ka ofruar siguri, cilësi dhe efikasitet të lartë, ndërsa karenca e tij pas përdorimit është në përputhje me standardet e kërkuara për substancat aktive dhe limitet maksimale të lejuara në produktet me prejardhje shtazore.
AUV thotë se të gjitha preparatet e përdorura që nga viti 2013 për repelimin e kafshëve kanë pasur të njëjtën substancë aktive.
“Suksesi i zbatimit të këtyre masave në komunat e përmendura ka rezultuar që deri më tani të mos kemi humbje jete nga kjo sëmundje, e cila mbetet nën kontroll”, theksohet në komunikatë.