Udhëtarët që e frekuentojnë këtë pikë-kalimi me Shqipërinë në Vërmicë, nga e nesër do të kalojnë pa pengesa.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.

Ndërkohë, udhëtarët që kalojnë kufirin përmes pikave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, deri të mërkurën në orën 24 janë të obliguar t`i paraqesin dokumentet e identifikimit, për shkak të nevojës për përpunimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave të automjeteve.

Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim që të shmangin pritjet e gjata dhe të garantojnë kalim sa më të shpejtë dhe efikas.