Tri stacione policore ajo e Gjakovës, Rahovecit e Malishevës në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë realizuar një sërë ligjëratash me nxënësit e shkollave fillore në komunat përkatëse, ku temë kryesore ishte: “Parandalimi i ngacmimeve seksuale dhe masat ligjore ndëshkimore”.
Kjo sipas policisë, po bëhet me qëllim të vetëdijesimit dhe edukimit të fëmijëve lidhur me rreziqet e ngacmimeve seksuale, dhe mënyrat e raportimit dhe mbrojtjes ligjore.
Siç është bërë e ditur, ligjëratat janë zhvilluar në prani të personelit shkollor dhe arsimtarëve të klasave përkatëse, të cilët, sipas Policisë së Kosovës, kanë përkrahur dhe vlerësuar këtë iniciativë, duke e konsideruar atë si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt shkollor.
“Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të ndërtuar ura bashkëpunimi me komunitetin dhe për të kontribuar në edukimin preventiv të brezave të rinj, në mënyrë që të parandalohet çdo formë e ngacmimit apo dhunës ndaj fëmijëve”, thotë policia.