Policia suedeze ka arrestuar një 16-vjeçar të dyshuar për të shtënat dhe vrasjen e tre personave në qytetin e Uppsalës të martën.
I dyshuari po merret në pyetje në lidhje me sulmin fatal, tha prokuroria e Suedisë të mërkurën, sipas Reuters.
Të tre viktimat ishin të moshës midis 15 dhe 20 vjeç, tha policia suedeze.
Oficerët kanë kryer hetime derë më derë për të kërkuar informacione të mëtejshme nga dëshmitarët. Policia tha se të afërmit e viktimave nuk janë njoftuar ende.
Një operacion i madh policor ishte duke u zhvilluar pas të shtënave pranë Sheshit Vaksala të Uppsalës, njoftoi transmetuesi publik SVT, duke shtuar se i dyshuari besohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me një skuter elektrik.
Kryeministri suedez për vrasjen e trefishtë: Brutale
“Është një akt i tmerrshëm që ka ndodhur në Uppsala. Dhuna brutale dhe e pamëshirshme po e trondit përsëri vendin tonë. Policia tani duhet të hetojë se çfarë fshihet pas të shtënave, por një gjë është e qartë: bëhet fjalë për dhunë që asnjë shoqëri e mirë nuk mund ta pranojë”, shkruan kryeministri Ulf Kristersson në një deklaratë në lidhje me vrasjen e trefishtë në Uppsala të martën në mbrëmje.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë ka qenë në kontakt të ngushtë me policinë që nga dje dhe është në kontakt të vazhdueshëm për të informuar qeverinë mbi zhvillimet, njoftojnë mediat suedeze.