Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se në kuadër të operacioneve të vazhdueshme për luftimin e shpërndarjes së narkotikëve, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit kanë arrestuar, në rrugën ‘’Vatra’’ Tophane në Prishtinë, tre persona.
Të arrestuarit janë të dyshuar për vepër penale ‘’Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 267 të KPRK-së, dhe ‘’Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ bazuar nga neni 269 i KPRK-së, si dhe një (1) person i dyshuar gjendet ende në arrati, thuhet në njoftimin e Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve janë sekuestruar si dëshmi si në vijim: një (1) sasi e narkotikut të dyshuar për Kokainë me peshë 4.9 gram, një sasi e parave të valutave të huaja, peshore të vogël digjitale për matje të peshave të vogla me mbetje narkotikut, shtatëmbëdhjetë (17) qese të vogla me narkotikë të dyshuar të llojit Kokainë me peshë të përgjithshme prej 4.4 gram. dy qese me narkotikë të dyshuar të llojit Kokainë me peshë të përgjithshme 45.9 gram shtatë qese me narkotik të dyshuar të llojit Kokainë me peshë përgjithshme 1.7 gram, dy telefona celular njëri i tipit Iphone 16 dhe një i tipit Samsung, tri qese me narkotik të dyshuar të llojit Kokainë me peshë totale 10.8 gram dhe nëntë fishek”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se prokurori i shtetit në përputhje me afatin ligjor do të parashtron kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, hetimet vazhdojnë.