Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të angazhuar në Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë, pas dyshimeve se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur jashtë orarit të punës.
Në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së kanë pranuar dje informacione që ngritën dyshime për përfshirjen e zyrtarit policor në një incident që rezultoi me lëndime të lehta trupore për të miturin. Menjëherë pas pranimit të informatave, janë ndërmarrë veprime paraprake hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Bazuar në dyshimet e arsyeshme, IPK konfirmon se ndaj zyrtarit të dyshuar është iniciuar hetim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Me urdhër të prokurorit kompetent, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Përveç ndalimit, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës që të suspendojë zyrtarin policor në fjalë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe për të mundësuar zhvillimin e mëtutjeshëm të hetimeve pa ndërhyrje.