Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot 1 Majin e vitit 1990, ditën kur në Verrat e Llukës u mbajt Kuvendi i Pajtimit – një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.
Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj vlerësoi se aksioni dhe lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve arritën ta shkëpusin shoqërinë shqiptare nga epoka e gjakmarrjes dhe ta unifikonin në lëvizjen për liri e pavarësi.
“35 vjet më parë filluan ndryshimet e mëdha drejt realizimit të aspiratave tona si popull. Në Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, u mbajt tubimi më madhështor shqiptar i të gjitha kohërave, ku kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë – falja dhe pajtimi” theksoi ai.
Haradinaj shprehu mirënjohje për figurat kyçe të asaj lëvizjeje, si Anton Çetta, Zekeria Cana, Don Lush Gjergji dhe të gjithë aktivistët, veçanërisht për rininë që udhëhoqi këtë veprim madhor.
“Përgjithmonë mirënjohës kontributit të lëvizjeve kombëtare për liri e bashkim. Përgjithmonë mirënjohës atyre që dhanë jetën për idealet kombëtare” tha Haradinaj.