“Këto paralajmërime konfirmojnë frikën e vazhdueshme se procesi gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por ndëshkimin politik të atyre që udhëhoqën luftën për çlirim. Janë bërë katër vjet e gjysmë që nga momenti kur krerët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në Hagë, në rrethana që çdo ditë më shumë dëshmojnë karakterin e padrejtë dhe të njëanshëm të këtij procesi”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Dënimet e deritanishme, sipas kësaj organizate, përfshirë ato ndaj Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, nuk kanë qenë asgjë tjetër përveçse vendime të padrejta që, në emër të drejtësisë, kanë synuar ta godasin luftën tonë çlirimtare. “Luftëtarët e lirisë që sot gjenden pas grilave, janë burrat që kontribuuan në çlirimin e vendit dhe themelimin e shtetit të Kosovës. Në vend që të nderohen, ata po përballen me një proces që më shumë ngjan me ndëshkim politik sesa me drejtësi ndërkombëtare”, thuhet tutje në këtë reagim.

Sipas OVL UÇK-së, kjo gjykatë, që në esencë nuk ka për synim vetëm ndjekjen e individëve të caktuar, po tenton të dëmtojë legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, përmes saj, edhe shtetësinë e vetë Kosovës. Çdo dënim i mundshëm ndaj drejtuesve të UÇK-së do të paraqiste jo vetëm një padrejtësi personale, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë frymës së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë.

“I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të trajtojnë me seriozitet dhe vëmendje të plotë zhvillimet në këtë proces. Heshtja institucionale në këto rrethana është e papranueshme. Është detyrë shtetërore dhe kombëtare që të mbrohet e vërteta e luftës sonë çlirimtare dhe të kërkohet drejtësi reale, jo ndëshkim politik”, thuhet në fund të këtij reagimi.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit paralajmëron se Prokuroria po përgatitet për dënimin e krerëve të UÇK-së.

Vendimi i Prokurorisë së Hagës që krerët e UÇK-së të mos lirohen nga paraburgimi, ka shtuar reagimin e ashpër të mbrojtjes. Avokatja e Jakup Krasniqit, përmend dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Në këtë dokument, thuhet se me zhvillimin e fundit, bie ndesh edhe prezumimi i pafajësisë dhe minimi i të drejtave të njeriut.