Në Deçan, përkatësisht te Verrat e Llukës, u mbajt një tubim ku u përkujtua 35-vjetori i Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve. Organizatorët e këtij tubimi kujtuan qëllimin e këtij organizimi, duke thënë se u organizuan pasi atëbotë cenohej dhe rrezikohej ekzistenca e popullit shqiptar.
Lindja e idesë së pajtimit të gjaqeve nuk ishte një rastësi. Ne jetonim në një kohë kur çdo gjë e jona cenohej dhe rrezikohej edhe ekzistenca jonë si popull. Më 1 maj 1990 këtu të Verrat e Llukës në tubimin “Besa-Besë” erdhi një det i madh prej 500 mijë njerëzish, erdhi në aksionin më të madh të pajtimit të shqiptarëve. Kështu u tha në 35 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te gjaqeve te Verrat e Llukës, gjatë shënimit të kësaj date historike.
“Njerëzit nuk e kishin më frikë vdekjen. Te verrat e Llukës ishte tubim i popullit, tubimi i besa- besës dhe gjithçka ishte atë ditë e mundshme. Një falënderim shumë të veçantë kam për banorët e fshatit Llukë që pritën dhe përcollën në mënyrë madhështore, shumë dinjitoze tërë at lum njerëzish”, tha Have Shala, nismëtare.
“Në këtë tubim i falën shumë gjaqe, plagë e ngatërresa, u bënë rreth 120 pajtime dhe nga pjesëmarrja kaq masive e popullit u dha një mesazh i qartë për domosdoshmërinë e gjetjes së rrugëve përbashkuese për popullin shqiptar”, tha Muhamet Qerimaj, historian.
“Aksionit të madh i parapriu 5 janari i vitit 1990 kur rinia e Lumbardhit, të përkrahur nga të gjitha shtresat, sidomos nga të moshuarit, arritën që me sukses dy familje që kishin plagë në mes veti, familja e Hasan Lekajt dhe Shaban Gashit t’i pajtojmë diku 20 ditë përpara datës 2 shkurt kur vijnë të gjithë akterët si, ish të burgosurit politikë, studentët dhe rinia, në krye me profesorin Anton Çetta”, tha Myrteza Lekaj, nismëtar.
Në nderim të këtij tubimi historik, kësaj vepre të madhe gjithëshqiptare, u zbulua edhe Pllaka përkujtimore si dëshmi e një periudhe të ndritur e cila i parapriu luftës së lavdishme të UÇK-së.