Tahiri tha se AAK, e themeluar nga gjenerali Ramush Haradinaj menjëherë pas luftës, bashkë me bashkëluftëtarë e intelektualë të vendit, u konceptua si forcë e stabilitetit dhe vizionit politik. Në një periudhë përplasjesh të mëdha, Aleanca zgjodhi unitetin dhe shtetndërtimin, përpara interesave të pushtetit.

“AAK vendosi standardet para statusit dhe bashkoi skenën politike të polarizuar. Po atë vit, kryeministri Haradinaj u përball me drejtësinë ndërkombëtare dhe doli i pastër, duke mbrojtur dinjitetin e UÇK-së dhe të Kosovës,” tha Tahiri.

Ai kujtoi periudhën e qeverisjes 2017–2019, kur nën drejtimin e Haradinajt, AAK ndërmori vendime të guximshme si ndalimi i planeve për ndarjen e Kosovës, taksa 100% ndaj Serbisë, themelimi i Ushtrisë, pavarësimi i sektorit të energjisë dhe investime strategjike në infrastrukturë e legjislacion.

“Gjatë pesë viteve të fundit në opozitë, Aleanca ka qenë zëri më aktiv në Parlament, duke luftuar për një shërbim civil të pavarur, ruajtjen e sovranitetit dhe integrimit euroatlantik,” shtoi ai.

“Aleanca ka qëndruar drejt për 25 vjet. Ka guxuar kur të tjerët kanë kalkuluar. Ka vepruar për shtetin, jo për pushtetin. Dhe ka transformuar qytetet që ka udhëhequr, duke lënë pas vepra që do të zgjasin sa vetë qytetet. Urime 25-vjetori. Të qëndrojmë me krenari për të kaluarën dhe me mençuri për të ardhmen”, përfundoi Tahiri.