Reporterët pa Kufij kanë vlerësuar se Kosova ka pësuar rënie në indeksin vjetor për lirinë e shtypit duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Për këtë raport dhe punën e gazetarëve, rastet nëpër gjykata dhe kërcënimet e gazetarëve, avokati Yll Zekaj, tha në “Info Plus” në RTK, se ky raport ka qenë i pritshëm, sipas tij, në bazë të asaj se si kanë qenë reagimet e qeverisë qysh në fillim të vitit të kaluar dhe deri më tani.
“Ky nivel i renditjes kaq i ulët është shumë shqetësues dhe duhet të ishte shqetësues për Kosovën, për qeverinë dhe e njëjta duhej të merrte masa qysh tani. Do duhej të organizonte qoftë task forcë, qoftë grupe punuese për ta adresuar në mënyrë objektive secilën nga gjetjet e këtij raporti”, tha Zekaj.
Sipas tij nuk ka të bëjë me një raport do si do.
“Raporti i reporterëve pa kufij funksionon që nga viti 1985, në rrethana të luftës dhe të pas luftës gjithmonë ka qenë kritik rreth sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medieve”, theksoi ai.
Zekaj shtoi se qeveria në detyrë duhet të kishte një reflektim karshi këtij pozicioni, e që të njëjtit sipas tij, me dashje apo pa dashje e kanë sjellë në këtë pozicion.
Kritikat, sipas Zekajt, ishin prapë me gjuhë të ashpër ndaj të gjithë atyre që guxonin ta përkrahnin këtë raport.
Zekaj tutje theksoi se në Kosovë numri i sulmeve ndaj gazetarëve është në rritje si asnjëherë më parë, derisa gjykatat, sipas tij, nuk janë shumë efikase në trajtimin e rasteve.
Të bërit gazetari në ditët e sotme në Kosovë sipas tij është mision i vështirë, pasi “është një ambient i kontaminuar dhe është shumë e vështirë”.
“Kjo është identifikuar tani më edhe në raport, kemi institucione të mbyllura, institucione jo transparente, është vështirë të merren informata për të realizuar transparencën e institucioneve”, tha ai.
Tutje Zekaj theksoi se kjo qeveri ka qenë qeveria më e mbyllur në Republikën e Kosovës ndonjëherë.
Shqetësim, sipas Zekajt, është edhe persekutimi i gazetarëve në vendin e punës dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës.
“Asociacioni Gazetarëve është duke e bërë të pa mundurën për të sensibilizuar gazetarët më të drejtat e tyre dhe ato që ju takojnë në vendet e tyre të punës. Kemi shumë raste kur gazetarët persekutohen në vendin e tyre të punës, u ndërrohet vendi i punës pa një kontratë e pa një vendim të arsyetuar, pa një qëllim legjitim dhe të njëjtat pastaj përfundojnë në gjykatë. Kemi ndërprerje të përditshme të marrëdhënies së punës të gazetarëve dhe kjo është shqetësuese në raport edhe me punëdhënësin përkatësisht me mediat në drejtim të gazetarëve”, tha Zekaj.