Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se pas një procesi transparent dhe demokratik të të drejtave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Avdi Hoti u zgjodh me shumicë votash si kryetar i ri i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ndërsa Edita Azemi u zgjodh nënkryetare.

Kryetari i zgjedhur, Avdi Hoti, delegatëve dhe të pranishmëve iu drejtua me një fjalë falënderuese, duke nënvizuar se ky kuvend është dëshmi e demokracisë së brendshme sindikale dhe e përkushtimit tonë për të avancuar të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të Policisë së Kosovës.

“Përmes këtij forumi ne jo vetëm që reflektojmë mbi arritjet dhe sfidat, por gjithashtu nderojmë rrugën për të ardhmen – një të ardhme të sigurt, më të drejtë dhe më të denjë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet policia jonë, qoftë në aspektin e punës, ashtu edhe në atë social-ekonomik, por jemi po aq të vendosur që përmes organizimit dhe zërit sindikal t’i realizojmë të gjitha kërkesat e punonjësve të Policisë së Kosovës”, tha Hoti.

Me këtë rast, të pranishmëve iu drejtua kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, me një fjalë rasti, duke theksuar rolin thelbësor të sindikatës në fuqizimin e pozitës së pjesëtarëve të Policisë, në avancimin e të drejtave të tyre, si dhe në ndërtimin e një ambienti profesional, dinjitoz dhe të sigurt për të gjithë.