Një veturë e tillë e Policisë së Kosovës nuk është e zakontë. Ajo regjistron automatikisht çdo gabim në trafik përmes pajisjeve inteligjente. Është makinë e pajisura me teknologji të avancuar që synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore dhe efikasitetin në identifikimin e kundërvajtjeve në trafik. Por jo vetëm kaq!

Këto vetura regjistrojnë në kohë reale çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht shkeljet më të rënda si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, mungesa e regjistrimit të automjeteve etj.

Naim Vojvoda, nga Njësia e Trafikut Rajonal në Prishtinë, tregoi nga afër mënyrën se si funksionojnë veturat inteligjente.

“Përmes teknologjisë vetura identifikon nëse një veturë nuk ka regjistrim, kur tejkalohet shpejtësia e lejuar”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë, Basri Shabani, tha se përmes veturës shqiptohen mijëra gjoba në trafik në baza javore. Sipas tij, përdorimi i veturave inteligjente ka ndihmuar dukshëm në rritjen e sigurisë në trafik.

“Gjatë javës së kaluar janë shqiptuar rreth 5 mijë tiketa, 1 mijë tiketa apo kundërvajtje janë të indetifikuar përmes kësaj veture. Më së shumti janë shkelje për tejkalim të shpejtësie, përdorimi i telefonit e që është një nga shkaktarët e aksidenteve në trafikun rrugor. Pastaj për rripin e sigurisë etj..”, tha Shabani.

Përveç ndëshkimeve, prania e veturave inteligjente në rrugë, thotë se ka ndikuar edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të ngasësve për respektimin e rregullave të qarkullimit. Ai shtoi se numri i aksidenteve me fatalitet, ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkaq, është shënuar rritje të aktiviteteve të Policisë në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve të trafikut rrugor.