FC Drita është kampione e Kosovës në futboll. Gjilanasit mundën Llapin, me rezultat 1-0, të dielën në Gjilan.

Drita me fitoren ndaj llapjanëve edhe matematikisht është kampione e Kosovës, katër javë para fundit të këtij sezoni.

Dueli mes gjilanasve dhe llapjanëve, ka prodhuar një sfidë interesante pavarësisht se u shënua vetëm një gol.

Llapi në pjesën e parë bëri lojë më të mirë, derisa në të dytën Drita ia doli të gjejë golin e fitores përmes Iljasa Zulfiju në minutën e 85-të, gol ky që i siguroi titullin e kampionit gjilanasve, të katërtin në historinë e tyre.

Pas kësaj fitore, Drita ka 69 pikë, 12 më shumë së ndjekësi Ballkani, kurse, Llapi është e teta me 40 sosh.

Fitore tejet të rëndësishme ka shënuar edhe Ferizaj që në udhëtim mundi Suharekën, me rezultat 2-1 në Suharekë.

Valmir Nafiu (58’) dhe Marko Musliu shënuan nga një gol për fitoren e Ferizajt, kurse, për Suharekën golin e vetëm e realizoi Fitim Susuri (78’).

Kjo fitore e Ferizajt i çon ata në kuotën e 48 pikëve, duke u barazuar kështu me Malishevën e vendit të tretë me po aq pikë, derisa Suhareka është e parafundit me 33 sosh.