Presidenca ka njoftuar se intonimi i himneve shtetërore është shoqëruar me 21 shtëna të topave, në shenjë nderimi dhe respekti për vizitën shtetërore, e cila po realizohet me ftesë të Sulltanit të Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah Mu’izzaddin Waddaulah.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani e ka falënderuar Madhërinë e tij, Sulltanin e Bruneit Darussalam si dhe Madhërinë e Saj, bashkëshorten e tij, për mikpritjen dhe për mbështetjen e palëkundur për Kosovën që nga koha e pasluftës, e pastaj me njohjen e pavarësisë dhe në proceset e mëtejshme në fuqizimin e shtetësisë sonë, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës për këtë takim.

Bëhet e ditur se në qendër të diskutimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunim në fusha si ekonomia, turizmi, dhe teknologjia informative.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëtejme nga Madhëria e Tij për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, posaçërisht në rajonin e Azisë Juglindore dhe vlerësoi rolin aktiv të Bruneit në këtë drejtim”.

Presidenca ka bërë të ditur se me rastin e vizitës shtetërore, Sulltani i Bruneit ka organizuar edhe një banket shtetëror në nderim të Presidentes Osmani dhe Zotëriut të Parë, në praninë e anëtarëve të familjes mbretërore, qeverisë së Bruneit Darussalam, si dhe pjesëtarëve të korit diplomatik.

Presidentja Osmani e ka ftuar Madhërinë e Tij, Sulltanin Bolkiah, për një vizitë zyrtare në Kosovë, si hap për ta thelluar më tej miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy shteteve.