Sipas kësaj kompanie, përkundër kësaj dispozite ligjore, udhëzimet publike për t’i orientuar qytetarët që të mos paguajnë në kompaninë “Pastrimi”, por në Komunë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për funksionim, që nga muaji janar 2025.

“Pra, nga janari 2025 e deri tani kur po flasim, borxhet e papaguara për shkak të kërkesës së kundërligjshme nga Komuna kanë arritur vlerën e 2.7 milionë eurove. Në vijimësi, dhe më së fundi më datë 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores në fuqi, me njoftim edhe për institucionet kompetente, duke shprehur gatishmërinë për zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme”, thuhet në reagimin e kompanisë “Pastrimi”.

Ndërkohë lidhur me menaxhinin e brendshëm të ndërmarrjes, kanë theksuar se në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), që ka audituar performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjes, është vlerësuar me opinionin më të mirë të mundshëm.

“Gjithashtu Pasqyrat Financiare për vitin 2024, dëshmojnë që KRM “Pastrimi” Sh.A nga një gjendje negative të cilën e kishte në vitet paraprake me minus 1.5 milion euro, ka kthyer operimin me bilanc pozitiv në 5% bruto fitim. Ky vlerësim tregon përkushtimin e  ndërmarrjes për administrim të përgjegjshëm, transparencë dhe respektim të ligjeve në fuqi’, thuhet tutje në reagimin e tyre.

“Pastrimi” thotë se raporti i ZKA-së dhe Pasqyrat Financiare janë publike dhe të qasshme për çdo qytetar, apo institucion të interesuar.

Ky reagim i kësaj ndërmarrje vjen pasi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka hedhur akuza të forta ndaj menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje. “Kompania ‘Pastrimi’ është drejt falimentimit për shkak të keqmenaxhimit. Kjo ndërmarrje publike që duhet ta mbajë Kryeqytetin e pastër, është shndërruar në barrë për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjësisë së menaxhmentit”, ka theksuar Rama në një video të postuar në Facebook.