Disa banorë të lagjes Sofali në Prishtinë janë shprehur të shqetësuar për mbylljen e disa burimeve natyrore të ujit të pijshëm. Sipas tyre, këto burime kishin funksionuar prej dekadash dhe në to ishin bërë edhe investime, por së fundmi thonë se janë ndaluar pa ndonjë sqarim zyrtar. Nga Komuna e Prishtinës thonë se janë të njoftuar me rastin dhe se do të ndërmarrin masa sipas kompetencave që i kanë.
Dikur, Enver Redenica pinte ujë të pastër dhe të rrjedhshëm nga burimi natyror i ujit. Por tashmë ai shprehet i zhgënjyer nga mbyllja e tij dhe shton se bashkë me këtë burim, janë mbyllur edhe disa të tjerë në lagjen “Sofali” në Prishtinë.
Enver Redenica, kryetar i Këshillit Lokal në Sofali, theksoi se “Më herët, para luftës, kanë qenë katër burime natyrore të ujit dhe nga katër burime, tashmë janë vetëm një. Një te shkolla e Normales është mbyllur, një te lodrat. Nuk e di kujt ju është dhënë uji, me siguri ndonjë personi të ‘fortë’.”
Edhe ky burim, pasi është rinovuar, uji i është dhënë dikujt! Çezma është, por mungon uji.
Ai shton se pas mbylljes së burimeve janë vendosur disa çezma të reja, por thekson se nuk janë burime natyrore.
“Mirë që e kanë vendosur këtë çezmë dhe uji është i ujësjellësit. Nuk e kuptoj pse burimet natyrore u mbyllën dhe u hapën të reja,” tha Redenica.
Edhe Esma Morina, banore, ndan të njëjtin shqetësim. Këto burime, thotë ajo, ishin pasuri e lagjes, por shton se nuk i dinë arsyet e mbylljes së tyre.
“Ky ujë është i ujësjellësit sepse mendojnë njerëzit që është burim natyror, por jo. Se si të ndalet ujësjellësi, ndalet edhe uji,” tha ajo.
Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin sqarime dhe të shikojnë mundësinë e rikthimit të funksionimit të burimeve natyrore të ujit në këtë zonë.
Nga Komuna e Prishtinës thonë se janë të njoftuar me rastin dhe se do të ndërmarrin masa sipas kompetencës që i takon komunës për intervenim, me qëllim të mbrojtjes së burimeve natyrore.