Seanca e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës ka dështuar, pasi që në fillim, grupi i asamblistëve të LDK-së kërkoi që rendi i ditës të kthehet siç është dërguar herën e parë, dhe nga shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, u tha se ndryshimi i pikave të rendit të ditës në komitetin për politikë dhe financa është i jashtëligjshëm. Kjo u kundërshtua nga VV dhe PDK. Propozimi Rafunës u hodh në votim, por nuk kaloi.
Seanca e katërt e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës dështoi. E gjitha nisi pasi shefja e grupit të asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, kërkoi që rendi i ditës të kthehet siç është dërguar herën e parë. Rafuna tha se ndryshimi i pikave të rendit të ditës në komitetin për politikë dhe financa është i jashtëligjshëm.
“Ndryshimi i pikave të rendit të ditës në komitetin për politikë dhe financa është i jashtëligjshëm dhe si grup i asamblistëve të LDK-së kërkoj që të kthehet ashtu siç na është dërguar herën e parë që është përpiluar në koordinim nga kryetari i Komunës dhe kryesuesi,” tha Jeta Rafuna, shefe e asamblistëve të LDK-së në Prishtinë.
Kjo u kundërshtua nga dy partitë më të mëdha opozitare, Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Ne nuk votojmë të ndryshojë ky rend i ditës. Nuk votojmë pika që kanë të bëjnë me prona urbanistike të jashtëligjshme. E dini qëndrimin tonë tash e sa kohë, jemi këtu për t’i trajtuar dhe për t’i kaluar shumicën e këtyre pikave që i keni sjellë këtu,” tha Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në Prishtinë.
“Nëse e përkthejmë saktësisht se çka po kërkon shefja e grupit të LDK-së, sigurisht në koordinim me Përparim Ramën, është kthimi i një rendi të ditës ku pikë e dytë është hartimi i planit të hollësishëm rregullues për Çagllavicën,” tha Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.
Qëndrimet i dhanë edhe përfaqësues të partive të tjera në kuvendin komunal.
Më pas u vendos në votim propozimi i shefes së asamblistëve të LDK-së, i cili nuk kaloi dhe si pasojë grupi i asamblistëve të LDK-së lëshoi sallën, bashkë me ekzekutivin, ndërsa mbledhja u ndërpre në mungesë të kuorumit.
Kryetari Rama kishte njoftuar një ditë më parë se në këtë seancë do të kërkonte ndihmë emergjente financiare, sipas tij, për t’i mbrojtur punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, pasi siç tha ai, keqmenaxhimi i kompanisë rrezikon pagat e punëtorëve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkaq, Ramës i reagoi edhe kompania “Pastrimi”, ku thuhet se sfidat financiare me të cilat përballet aktualisht ndërmarrja janë rezultat i moszbatimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.