Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në katër vepra të ndryshme penale, përfshirë mashtrime kibernetike, vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni policor është ndërmarr nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, me mbështetje nga njësi të tjera relevante, pas një hetimi intensiv. Kontrolli policor u zhvillua në tri lokacione të ndryshme në qytetin e Gjilanit, ku u ndaluan tre të dyshuar meshkuj, shtetas të Kosovës.
“Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal duke mashtruar qytetarë të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj. Ata përdornin thirrje telefonike, identitete të rreme dhe metoda të sofistikuara për t’i bindur viktimat të investonin në bursa dhe kriptovaluta fiktive, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm financiar për vete apo për persona të tjerë”, thuhet në njoftim.
Veprimtaria e tyre dyshohet të jetë zhvilluar nga një zyrë e përshtatur në mënyrë të paligjshme si qendër thirrjesh (call center).
Policia njofton se gjatë operacionit ka sekuestruar prova të ndryshme materiale, përfshirë: 3 vetura; 3 kompjuterë; 9 telefona mobilë; 10,044 euro; 100 franga zvicerane; 1,100 dollarë amerikanë; 50 copë municion; Pajisje elektronike (DVR, router-a, monitorë, kufje); Dokumente të ndryshme.
Me vendim të prokurorit kompetent, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.