Prokuroria Themelore ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës ka arrestuar personin me inicialet B.K. në Podujevë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, Zjarrvënia”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, operacioni policor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit është duke vazhduar në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave për hetimin e të gjitha rrethanave të rastit.

Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Prishtinë:

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës ka arrestuar një (1) person B.K. në Podujevë i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”  nga neni 367 par. 2 të KPRK-së, Zjarrvënia” nga neni 322 par. 2 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par 1 të KPRK-së, i cili ka ndodh me datë 30.04.2025 në oborrin e QKUK-së, kundër veturës  se UD Drejtorit të QKUK-së, operacioni policor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit është duke vazhduar në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave për hetimin e të gjitha rrethanave të rastit. Organet e rendit mbeten të përkushtuar për të zbuluar motivet dhe zbardhjen e rastit në tërësi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shpërthimi që kishte ndodhur më 30 prill, ndodhi në oborrin e QKUK-së, derisa vetë Hajdari e kishte lidhur këtë me punën e tij. “Konsideroj që krejt ky akt është i lidhur më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosur rregull e rend në QKUK dhe ndoshta kjo punë u pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiare, qoftë grupeve të tjera, të cilat mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së edhe të tjerë”, kishte thënë atë ditë pas shpërthimit, Hajdari.