Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se ka kërkuar nga Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., shtetas turk, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30 , në rrugën “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15 – vjeçare, me thikë të llojit “Bajonetë”, ku e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, më këto veprime, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.
“Po ashtu, i njëjti, me dashje tenton t’i privoj nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore, më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre. Me këto, veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren njofton se personi i dyshuar M.G., gjendet në ndalim 48 orësh nga data 06.05.2025.