Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në 27 vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliut. Ai ka thënë se kemi pasur shumë veprimtar të cilët e kanë përgatitur luftën e në mesin e tyre ndër më të shquarit është Bahri Fazliu që mbante pseudonimin “Gëzimi”.
Kurti tha se “Bashkë me anëtarët e familjes të respektuar Fazliu, e cila i dha dy dëshmorë të kombit dhe aq shumë kontribut për çlirimin dhe me kolegë nga Qeveria e Republikës e Kuvendi i Kosovës erdhëm të bëjmë homazhe bashkë sepse Bahri Fazliu është shembull i luftëtarit çlirimtar edhe para luftës çlirimtare”.
Ai po ashtu ka thënë se shkrimet e tij analitike, poezitë e tij romantike, atdhedashuria e tij e pafund dhe aksionet e betejat në të cilat mori pjesë padyshim që e bëjnë atë një shembull të gjallë jo vetëm për brezin tonë por edhe për gjeneratat që do të vijnë, se si duhet atdheu, si punohet për çlirim dhe se si luftohet për bashkim.
“Lavdi Bahri Fazliut, Gëzimit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar”, tha Kurti