Organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), sot u mbajt konferenca me titull “Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, në të cilën mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Universitetet hapin portat e dijes dhe ushqejnë shoqërinë tonë në krejt sferat, duke luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin shoqëror, përpilimin e politikave dhe kërkimeve shkencore të cilat përdoren për ta rritur zhvillimin dhe për ta avancuar shoqërinë.” u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse.
Në këtë konferencë, Kurti foli edhe për mbështetjen nga ana e Qeverisë, ku për herë të parë është aprovuar Projektligji për Zhvillim Rajonal të Balancuar, për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm nëpër rajone. Me këtë rast, ai tregoi për miratimin e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2025-2027, i cili parasheh një sërë veprimesh dhe aktivitetesh, e në kuadër të këtij programi, kryeministri përmendi skemën e dizajnuar nga Qeveria për Programin për Zhvillim Rajonal të Balancuar, prej të cilit nga viti 2021 e deri në vitin 2024, janë përkrahur 901 projekte në vlerën rreth 7 milionë euro.
Ndër të tjera, sa i përket përkrahjes nga shteti, ai potencoi mbështetjen nëpërmjet masave siç është ajo e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa, mbështetje të bizneseve përmes subvencionimit të pagave të punëtorëve, skema e punësimit të garantuar “Qeveria për Familjet”, shtesat për lehona dhe fëmijë, shtesat për punëtorët e sektorit privat e publik dhe pensionistë, subvencionimi i energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ndihma për familjet në asistencë sociale e rritja e mbështetjes për bujqësi.
“Bashkë prodhojmë, bashkë e nxisim produktivitetin e përkrahim rritjen e bizneseve tona jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në zgjerimin e aktivitetit të tyre duke depërtuar në tregjet e mëdha ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, në veçanti i kemi inkurajuar të rejat dhe të rinjtë, sipërmarrësit e rinj, bizneset e vogla e të mesme, për t’u rritur më tej e për të kontribuar pozitivisht në jetën ekonomike e në progresin shoqëror të vendit tonë”, tha ai.
Kryeministri Kurti e përmbylli fjalën e tij duke i uruar organizatorëve e pjesëmarrësve diskutime sa më të frytshme e produktive, gjersa kërkimi shkencor e karakteri hulumtues i universitetit dhe i studiuesve, në funksionim të mbarë e të mirë me institucionet vendore e qendrore, ka potencialin që të nxisë dije, prodhojë ide dhe të njëjtat të jetësohen në praktikë përmes politikave të cilat i zhvillojnë rajonet, avancojnë shtetin dhe e rrisin mirëqenien e qytetarëve pa dallim.