Antidroga e Policisë së Kosovës ka zhvilluar dy operacione të ndara në Ferizaj dhe Prishtinë, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar dhe sekuestrimin e sasisë së konsiderueshme të substancave narkotike, automjeteve, mjeteve të dyshimta dhe parave të gatshme.
Në rastin e parë, në Ferizaj, pas një operacioni të zhvilluar në dalje të autostradës “Arbër Xhaferi”, janë arrestuar dy persona që po udhëtonin nga Prishtina në drejtim të Ferizajt. “Gjatë kontrollit është konstatuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në disa paketime, mjete të tjera përkatëse dhe para të gatshme në valuta të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, gjatë kontrollit të mëvonshëm në një banesë në Prishtinë, janë sekuestruar prova shtesë përfshirë marihuanë, pajisje për matje dhe ambalazh, si dhe 6.265 euro para të gatshme. Në total janë konfiskuar rreth 1.659.80 gram marihuanë, dy automjete, dy telefona dhe mjete për ndarjen e lëndës narkotike. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Ndërkaq, në rastin e dytë të zhvilluar nga DHTN – Gjakovë në bashkëpunim me DHTN – Prishtinë, janë arrestuar katër persona për rastin që kishte nisur më 23 prill në Prizren, ku paraprakisht ishin sekuestruar rreth 175 bimë kanabis. Sot, gjatë bastisjes në Prishtinë, “janë sekuestruar 461 gram kokainë, një veturë Golf 7, para të gatshme dhe telefona mobilë”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ndërsa një i dyshuar tjetër është në kërkim.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me narkotikë dhe inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar veprimtaritë e dyshimta, ku do të trajtohen nga autoritetet me konfidencialitet të plotë”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.