Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se kriteret e zgjedhjeve janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë.

 

Sipas Berishës, Partia Demokratike po pret me padurim të gjithë procesin e numërimit pavarësisht rezultatit dhe më pas do të bëjë vlerësimin.

“PD u ka thënë shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Këtu të mos ketë askush iluzione se ato konkluzione kanë qenë politike. Jo, ato kanë qenë të bazuara dhe të certifikuara tashmë nga forume politike ndërkombëtare. Ndaj dhe të durojmë për të përfunduar edhe numërimi i votës së fundit. Atëherë PD do të bëjë të gjithë vlerësimin e saj. PD do e bëjë të gjithë vlerësimin e saj. Kësaj here, ju që pyesni e keni shumë të thjeshtë, mjafton të lexoni kriteret. Në qoftë se mbillen dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë. Në qoftë se punësohen dhjetëra mijëra punonjës për votë. Në qoftë se siç e patë vetë… dhe dua të bëj një falënderim për gazetarët për raportimet e shkëlqyera dhe sakrificat që kanë bërë… në qoftë se ju patë qendrat e votimit të rrethuara nga patronazhistë në të katër anët dhe zyrat ilegale të PS të ngritura pranë qendrave të votimit”, u shpreh Berisha në një konferencë për mediat.

Berisha theksoi më tej se po t’i referohemi “faljes dy net para të rreth 150 milionë euro gjoba të mbi 170 mijë qytetarëve, atëherë emrin zgjedhjeve ua vini vetë”

Berisha bëri thirrje më tej që çdo votë të numërohet.

“Por unë nuk jam këtu për këtë. Unë jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve që të numërojnë çdo votë. Ne të tregojmë përgjegjësi para atyre që kanë votuar duke numëruar çdo votë. Ky është qëndrimi ynë… …Edhe njëherë, asnjë njeri para këtij procesi nuk mund të bëjë automatin, nuk mund të bëjë sikur këto nuk kanë ndodhur. Ju jeni dëshmitarë se këto që thashë unë, katër prej tyre janë me vendime zyrtare qeverie, janë publike, nuk janë private. Ka kritere për zgjedhjet. Janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë. Përveç të tjerash, Xhabaftët, Poja, Suel Çela, nuk ka asgjë këtu të fshehtë. Në këto kushte nuk ka njeri që mund të vërë në dyshim këto që themi ne. Por unë jam këtu sot për të kërkuar nga strukturat e PD, pavarësisht nga çdo gjë, është në detyrimin tonë të numërojmë çdo votë. Në qoftë se kryeministri firmos dhuratën kryeministrore 100 euro për votë, nuk është përgjegjësi e opozitës kjo. Në qoftë se kryeministri firmos mbjelljen e dhjetëra mijëra hektarëve kanabis për votë, nuk është përgjegjësi e opozitës kjo. Në qoftë se kryeministri firmos faljen e 150 milionë gjobave dy ditë para zgjedhjeve, kjo nuk është përgjegjësia e opozitës. Cila është këtu përgjegjësia e opozitës? Çfarë mendoni ju se të jetë opozita të jetë symbyllur ndaj këtyre? E pamundur. Asnjë njeri i qytetëruar nuk mund të mbyllë sytë përpara këtyre. Por këto që janë të njohura. Pavarësisht, çdo votë duhet të numërohet”, deklaroi Berisha.