Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, u prit nga presidenti i Deutsche Bundesbank, Joachim Nagel, në selinë qendrore të bankës në Frankfurt.
Sipas njoftimit nga BQK, Ismaili e falënderoi presidentin Nagel për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe e informoi për zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, për reformat institucionale dhe ato në sektorin financiar, si dhe për progresin në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
“Guvernatori Ismaili gjithashtu informoi lidhur me procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA, si dhe për zhvillimet në kuadër të sistemit të pagesave të shpejta – projektin TIPS Clone me Bankën e Italisë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se në takim u diskutua edhe për reformat e ndërmarra në sektorin financiar me qëllim përafrimin e rregullativës bankare të Kosovës me atë të BE-së, ku guvernatori kërkoi mbështetjen e mëtejshme nga Deutsche Bundesbank në këto procese.
Të dy palët diskutuan mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në fushat e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.
Në përmbyllje të takimit, guvernatori Ismaili falënderoi presidentin Nagel për mbështetjen e vazhdueshme që Deutsche Bundesbank ka ofruar ndaj BQK-së në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, menaxhimin e mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, operimin e linjës REPO në emër të Eurosistemit, si dhe në operacione të tjera të rëndësishme.
Bëhet e ditur se paraprakisht, si pjesë e agjendës së vizitës zyrtare, guvernatori Ismaili u prit në Muzeun e Parasë të Deutsche Bundesbank nga drejtori Ulrich Rosseaux.