Ushtarët e aviacionit të SHBA-së, të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), kanë zhvilluar së fundmi trajnim me “Bambi Bucket”, një pajisje që përdoret për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Sipas njoftimit nga KFOR-i, ky trajnim u zhvillua për të mbajtur ekuipazhet ajrore të përgatitura në rast se nevojiten ndërhyrje ajrore për fikjen e zjarreve në rajon. “Këto përpjekje realizohen nga KFOR-i – brenda mundësive dhe kapaciteteve të tij – për të mbështetur të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të përcaktuar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Forcat e KFOR-it punojnë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si pjesë e mekanizmit të sigurisë”, thuhet më tej në njoftim.