Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren, ku shkruan se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në rrugën e integrimit nën drejtimin e socialistëve.

Teksa shpesh mbështetjen për Shqipërinë, Von der Leyen shton se përgëzimet do i jap personalisht edhe kur të vijë  në samitin në Tiranë.

“I dashur Edi Rama, urime për fitoren tuaj elektorale! Nën drejtimin tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat e BE-së. Shqipëria bën pjesë në BE! Mezi pres t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan Von der Leyen.

“Shqipëria mund të mbështetet tek ju dhe lidershipi juaj”, i kthyer përgjigje kryeministri Rama urimit të presidentes së KE-së, ku shtoi se në rrugën e integrimit, vendi ynë po lufton për merita dhe arritje në përmbushjen e standardeve.

“Faleminderit me gjithë zemër, e dashur Ursula. Fjalët tuaja kanë shumë vlerë dhe mbështetja juaj ka edhe më shumë vlerë — veçanërisht në këtë moment përcaktues në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Për më tepër, ky nuk mund të ishte një moment më i mirë për t’ju uruar mirëseardhjen në Tiranë — menjëherë pasi populli shqiptar foli me zë të lartë për ëndrrën e tij të madhe dhe vendosmërinë e palëkundur për t’u bërë anëtar i plotë i familjes së BE-së brenda kësaj dekade. E di që Shqipëria mund të mbështetet tek ju dhe lidershipi juaj. Dhe duhet ta dini se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm: në këtë rrugë, nuk ka dhurata për t’u kërkuar, vetëm merita për t’u fituar. Pra, po — le të synojmë më të mirën që ende nuk ka ardhur! Gjithmonë bashkë”, shkruan Rama.

Urimet kanë ardhur edhe nga Presidenti i Këshillit Evropain, Antonio Kosta, i cili shkruan “Urimet më të ngrohta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, uroi Ramën për fitoren duke shprehur mbështetjen e tij për rrugën integruese të Shqipërisë. Macron gjithashtu bëri të ditur se do të jetë i pranishëm në Samitin e Komiteti Politik Evropain që do të mbahet në Tiranë më 16  maj.

“Urime miku im i dashur Edi Rama, për fitoren tuaj në zgjedhjet legjislative. Franca do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Do të takohemi sërish të premten për Samitin e Komitetit Politik Evropian dhe për një vizitë që duhet të na mundësojë të forcojmë më tej partneritetin tonë!”, shkruan Macron.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, iu bashkua urimit, duke theksuar se do të jetë në Tiranë për samitin.

“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren e tij dërrmuese në zgjedhjet parlamentare shqiptare. I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të rezultojë të jetë një Samit historik EPC.”, shkruan Orban.

Në përgjigje të urimit, kryeministri Rama thekson se bashkëpunimi me Hungarinë do të forcohet edhe më shumë në interes të dy popujve.

“Faleminderit me gjithë zemër, i dashur Viktor. Pres me padurim të vazhdojmë punën tonë së bashku në interesin më të mirë të vendeve tona të bukura, si dhe për integrimin e plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE – një kauzë që ju e keni mbështetur prej kohësh. Dhe po, mezi pres t’ju mirëpres në Tiranë për Samitin e EPC-së, pas takimit fantastik që patëm të gjithë së bashku në Budapest vetëm gjysmë viti më parë – ku ju e vendosët standardin shumë lart, miku im”, shkruan Rama.

Urimet kanë ardhur edhe nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve do të forcohet edhe më shumë.

“Urime të sinqerta Kryeministrit Edi Rama për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Lidhjet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit dhe jam i bindur se së bashku mund të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të promovojmë zhvillimin e mëtejshëm në të mirë të kombeve dhe popujve tanë”, shkruan Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama mori urimet edhe nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, të cilët u shprehën se presim të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.

Partia Socialiste doli fituese në zgjedhjet e 11 majit me një rezultat të thellë duke marrë 83 mandate.