“Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional, sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara,” deklaroi Sveçla.

Ai njoftoi gjithashtu se një aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll.

“Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më. Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë,” shtoi ai.

Sveçla theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura për ta përmbyllur çdo formë të paralelizmit që ka funksionuar për vite me radhë në veri të vendit, duke rikthyer hapësirat publike në shfrytëzim të ligjshëm dhe kushtetues.

Ndryshe, Policia ka njoftuar se inspektorët komunalë të Mitrovicës së Veriut kanë ndërmarrë sot një aksion për të rikthyer në pronësi të komunës një ndërtesë që deri më tani ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara.

Ky aksion është zhvilluar me mbështetjen e Policisë së Kosovës.