Më shumë se 10 muaj pas vendimit të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara për dënim me burg, mbrojtja e Pjetër Shalës ka apeluar këtë vendim.”
Në seancën e Apelit në Hagë, mbrojtja e Shalës ka bërë të ditur se ka dorëzuar 14 pika kundër vendimit të Themelores, e cila në korrik të vitit të kaluar dënoi Shalën me 28 vjet burgim.
Në rrjedhën e seancës, Pjetër Shala e përcolli përmes videolidhjes.
Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, lexoi vendimin që kishin marrë për Shalën, derisa tregoi kërkesën e Shalës për anulimin e dënimit, shpalljen të pafajshëm ose kthimin e çështjes në rigjykim për një dënim të duhur.
“Në aktgjykimin e vitit 2024 u tha se janë së paku 18 persona që ishin privuar nga liria në fabrikë, janë sulmuar në mënyrë ç’njerëzore dhe në fund një person vdiq gjatë kohës sa ishte i ndaluar në fabrikë rreth datës 5 qershor nga pasojat që shkaktoi gjuajtja me armë në prani të Shalës, me mohim të ndihmës së ofruar,” ka thënë Picard.
Pas saj, mbrojtja renditi arsyet se pse vendimi për dënim me burg ndaj Shalës është i gabuar dhe i padrejtë.
“Vendimi për të pranuar disa deklarata të Shalës për mënyrën se si janë përdorur si prova ka shkaktuar një dëm të një natyre shumë të rëndë, gjegjësisht shpallja fajtor për krime lufte. Për më shumë se 20 vite hetim, Shala ka dhënë deklarata sikurse ju e dini në 2005, 2007, 2016 dhe 2019, në këto raste siç e dini shumë mirë, asnjëherë nuk u morën në pyetje në prani të avokatit, pa iu dhënë mundësia të konsultohet me një avokat,” ka thënë Jean-Louis Gilissen, avokat i Pjetër Shalës.
Sipas avokatit, një pjesë e incizimeve nga deklaratat e Shalës kanë humbur dhe nuk i janë dhënë as mbrojtjes e as gjykatësve që ta verifikojnë cilësinë e tyre.
“Askush nuk mund të mbështetet ekskluzivisht ose në një shkallë të konsiderueshme të deklaratave të një dëshmitari dhe theksoi se zoti Shala nuk ka qenë dëshmitar, por ai ka qenë dhe është i akuzuar,” ka shtuar Louis Gilissen.
Pas mbrojtjes, qëndrimet e tyre për apelimin e vendimit nga mbrojtja do t’i japin prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave, derisa në fund fjala do t’i jepet edhe Shalës. Seanca ndaj Shalës vazhdon të premten.