Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas akuzave për shkelje të rregullores në Kuvend, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë shkelje në kërkesën për ndryshimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit.
Kusari-Lila tha se kërkesa për ndryshimin e orarit të mbledhjeve ishte propozim të hapur për konsultim ndërmjet grupeve parlamentare dhe jo për ndonjë veprim të njëanshëm apo në kundërshtim me rregulloren.
““Siç e patë, seanca është filluar me një kërkesë për konsultim. Që në një dakordim të plotë nëse ka mes grupeve parlamentare në një shmangie të rregullores ose të procedurës që të takohemi më rrallë. Pasi 48 orëshi brenda këtij muaji në vazhdimësi po përsëritet, po shihet që nuk e ka atë rezultat, përderisa partitë e opozitës nuk e kanë as një reflektim me përgjegjësinë e tyre për zhbllokimin e Kuvendit” tha Kusari-Lila.
Ajo theksoi se propozimi për ndryshimin e orarit nuk u mbështet dhe nuk u realizua, duke shtuar se nuk ka asnjë shkelje në këtë proces.
“U akuzuam edhe njëherë për shkelje, por ai ishte një propozim për dakordim, i cili nuk u mbështet dhe nuk u realizua. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë që mund të deklarohet si shkelje, përveçse një përpjekje për t’i kthyer në një orar tjetër këto takime,” përfundoi Kusari-Lila.