IKSHPK thekson se hedhja e pakontrolluar e mbeturinave krijon kushte për zhvillimin e sëmundjeve infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator, ndërkohë që djegia e mbeturinave ndot ajrin dhe shkakton sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe sëmundje kancerogjene.

Menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit. Kjo situatë krijon kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator”, thuhet në njoftim.

“Në aspektin mjedisor, mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Djegia e tyre e pakontrolluar çliron tym dhe gaze të dëmshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene”, theksohet tutje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se situata ishte veçanërisht problematike javën e kaluar në Prishtinë, ku kontejnerët ishin të mbushur tej mase dhe mbeturinat ishin shpërndarë përtej tyre, si pasojë e mosgrumbullimit në kohë nga kompanitë përgjegjëse, duke paraqitur një rrezik serioz për shëndetin publik.

Për këtë arsye, IKSHPK ka kërkuar që të merren masa urgjente, duke përfshirë:

✅ Largimin e rregullt të mbeturinave;
✅ Sigurimin e funksionalizimit dhe mbylljen e kapakëve të kontejnerëve;
✅ Pastrimin e hapësirës përreth kontejnerëve;
✅ Rregullimin e menaxhimit të mbetjeve inerte;
✅ Ndalesë për hedhjen e materialeve ndërtimore në pikat e grumbullimit të mbeturinave.

IKSHPK apelon që situata të tilla të mos përsëriten dhe të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit.