Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë, A.Sh dhe S.K, për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ata akuzohen se i kërkuan një qytetari para për të mos i shqiptuar gjobë.
Sipas aktakuzës,të dyshuarit në cilësinë e zyrtarëve policorë të Njësitit të Trafikut në Pejë, më 20 prill të vitit 2025 në fshatin Poterq të Klinës, ndaluan veturën Golf 8 për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
Tutje në njoftim thuhet se për të mos i shqiptuar gjobë, ata i kërkuan të dëmtuarit 20 euro e më shumë që t’i dërgojë në pompën e derivateve në Pejë.
Dëshmitari, punonjës i pompës së derivateve, më pas atë kartëmonedhë ia kishte dorëzuar zyrtarit policor A.Sh.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale “Marrje ryshfeti”.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, prokurori i shteti me rastin e ngritjes se aktakuzës, ka propozuar gjykatës që të pandehurve përveç demit, t’ju shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit.