RTSH
Qeveria shqiptare zgjat dhe me një vit qëndrimin e shtetasve ukrainas në vend. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e të mërkurës, mori vendim që të zgjasë kohën e qëndrimit në Shqipëri të shtetasve ukrainas, ku nga 3 vjet që ishte vendimi i mëparshëm, bëhet në 4 vjet.
“Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 3 (tre) vjet …” zëvendësohet me “… 4 (katër) vjet …”. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Vendimi për shtyrjen e kohë qëndrimit të shtetasve ukrainas në vendin tonë merr shkas nga fakti se ende nuk ka një zgjidhje për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, konflikt i cili ka hyrë prej muajsh në vitin e 3-të dhe që ende nuk i duket fundi.
Në Shqipëri mësohet se ka rreth 2500 ukrainas. Një pjesë punon e tyre punon online për të përballuar jetesën. Në fillim kanë qenë më shumë, por kush ka gjetur punë në Evropë ose Kanada është larguar. Pjesa më e madhe e atyre që qëndrojnë në Shqipëri janë gra me fëmijë. Ka dhe disa bashkëshortë, sepse ligji në Ukrainë lejon që një burrë mund të largohet nga atdheu vetëm nëse ka më shumë se tre fëmijë.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare
Që me aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë, Shqipëria mbajti qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në një linjë me qëndrimin e BE dhe SHBA.
Shqipëria i është bashkuar që në momentin e parë vendimit të Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Me agresionin e Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Shqipëria ka dënuar menjëherë sulmet e Rusisë, ka aplikuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Ajo ka qenë në plan të parë krahas vendeve partnere, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, etj., në dënimin e shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga një vend anëtar i përhershëm i KS (Rusia), duke sulmuar dhe mos njohur sovranitetin e Ukrainës si shtet i pavarur.
Gjithashtu, Shqipëria ka votuar pro pezullimit të Rusisë nga KiE, AP e KiE, UNHRC, etj, derisa të ndalojë pushtimi rus i Ukrainës dhe ushtria ruse të largohet nga Ukraina. Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën për “Mbështetjen e Sovranitetit dhe Tërësisë Territoriale të Ukrainës dhe Mbrojtjen e Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Evropiane”.
Shqipëria e konsideron luftën e rezistencës nga Ukraina si një luftë për demokracinë, për vlerat evropiane, sigurinë evropiane dhe për ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës me gjithçka që mundet: me mjete politike, diplomatike dhe ekonomike, si dhe vullnetin për t’u bashkuar me përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës sa më shpejt, që t’i jepet mundësia, në bashkëpunim me vendet fqinje.
Qeveria shqiptare mbetet përkrahëse aktive e të gjitha nismave të marra për përgjegjësi të plotë për krimet e rënda të kryera në Ukrainë dhe hetimin e të gjitha shkeljeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut.