Prof. dr. Hakif BAJRAMI
Eu Kosovë vendi më i varfër në Evropë, vendi më i persekutuar nga okupatorët në Ballkan, vendi më vigan në luftë për të bërë shtet në fund të shekullit, por që Aleksandër Sorosi pa pengesa po e luan vallën me instrumente kibernetike. Dhe gati të gjithë iu patëm gëzuar këtij rreshtimit të fund shekullit kaluar. Por sot, aty ku është vendi që të programohet flakja e varfërisë; aty ku është logu ku duhët dëshmuar ligje dhe drejtësi për të gjithë; aty ku është faltorja për ta forcuar shtetin;aty ku është altari me folë me guxim dhe në interes të paqës dhe dashurisë; aty po kalëron urrejtja në mes maskarenjëve; aty po metastazon lufta në mes poltronëve për pushtet, e jo për shtet; aty po përbaltet kultura civilizuese. Në këto rrethana, po metastazon parada si intra biduum (me afat dyditor) i politikës mazohiste, sa që edhe armiqëve po u duket pak, se nuk kanë hyrë në gjynah me neve që na kanë shitë e coptuar vendin, nepër kongrese e konferenca; sepse kemi luajt me fe; sepse kemi luajtur me popull; sepse kemi luajtur me komb; sepse kemi luajtur me territore për interesa meskine të gjepit; sepse kemi vrarë partiotë natën e i kemi vajtuar ditën për të humbur gjurmë. Ndërsa okupatorët na patën thënë më 1913 se: “nuk dijmë të ndërtojmë shtet shqiptarët”!
Mësohet në filozofinë e historisë se mazohizmi si sëmundje “infektive” në politikë pushon diku afër sadizmit dhe eutanazisë mortore. E kjo është diagnoza e sëmundjes në Parlamentin e Republikës Kosovës. Kjo sëmundje metastazon sidomos në rrafshin politik, nga “dashuria” për pushtet dhe urrejtja ndaj atij që legalisht dhe legjitimisht të pengon, qoftë në synime të drejta apo meskine. E ky fakt tregon se urrejtja është sëmundje që ilaçin nuk e ka në zemër, por që mrizon në tru të smurë. Ky fenomen i politikës dhe fuqisë saj, është shënuar së pari në ushtrinë e Gjingiskanit. Kjo sëmundje politike ka metastazuar nëpër oborret pushtetore deri te V. J. Stalini, sidomos. Por, luftimin e kësaj sëmundje degjeneruese politike e ka bërë dhe e ka mundur më guxim civilizes Sharl De Goli, në rastin e Algjerisë. Në lidhje me këtë, kronikat e kohës dëshmojnë në anën tjetër, se njeriu i mileniumit me pushtime, mongoli Gjingiskan në çdo trevë që e pushtonte së pari, te kundërshtarët i dërgonte misionarët, për bisedime. Kuvendarët e tillë inteligjent dhe të pa anshëm kishin për detyrë për ta spjeguar se çka i pret nëse e kundërshtojnë, “Njeriun e gjithëfuqishëm” të mileniumit.
Shansat për manovorim, flasin argumentët e kohës, para kuvendarëve të Gjingiskanit, ishin të kota. Po manovrove, jo vetëm humbja, por shfarosja e popullit që kundërshton ishte obligim të ndodhte, sepse ishte proklamuar se është: “urdhër nga lart-nga i gjithëfuqishmi”.
E çka vjen nga lart, askush me pamje të njeriut nuk mundet për ta prekë me dorë (për ta përceptuar), por spjegohej, si fetish, si obligim. E në Republikën e Kosovës sot, askush nuk e din, pse dhe si jemi larguar nga këshillat e miqëve. Dhe, duhët thënë hapur se në shumë kontakte edhe miqët, ishin në anën e okupatorit, madje na kanë quajtur “terroristë”. Çka tregon kjo. Tregon se okupatori e ka pasë dhe e ka propogandën aq finoke dhe aq cinike sa që edhe kur “nxen dielli”, edhe miku të thoshte se po bën ftoftë, sepse vinin me dyshime, me porosi intrigash se vetëm Beogradi ka të drejtë, “sepse i kanë tri manastire” (!) në këtë trevë, e të cilat kurrë nuk i kishin hulumtuar, manastire ato që nuk janë institucione të okupatorit, as nga pamja, as nga themeli e arkitektura e ndërtimit.
Në rastin e Kuvendit Kosovës, nuk po dihet kush është Gjingiskani, e kush Dostojevski. Madje, nuk po “kuptohet” gjuha e “misionarëve”, nuk po gjendet asnjë “përkthyes”, që ta zbërthejë gjuhën mazohiste në politikën kulmore parlamentare, që është kthyer në rolin e “idiotit”. E vërteta, tinëzisht armiku i shtetit (Dostojevski, ose Idioti), po e ndërton një rrugë që për çdo tubim vijues,nuk ka zgjidhje dhe kështu po trasohet rruga me “asfaltin” më të dobët.Mjerisht, në këtë “punishte” argat me vetëdije janë bërë të gjithë deputetët shqiptarë. Pra, mjerë Kosova “kënd e ka brenda”, sepse po e kthejnë me kokë teposhtë, tërë godinën shtetërore, të ndërtuar jo nga këta, por nga ata që nuk kanë vdekur në krevat, por që kanë derdhur gjak nëpër istikame dhe beteja, dhëmb për dhëmb.
E pse mos të zbulohemi se: Dostojevski në Kuvend është me vetëdije “Lista serbe”. Kurse, rolin e “idiotit”, po e luajnë të gjithë deputetët shqiptarë, pa dallim. E vërteta, kjo është shprehje që vjen nga zëri i popullit të dlirë dhe bukëdhënës të mbarë Kosovës, me plotë varreza masive, me plotë kufoma të pagjetura.
Është me rregullore që drejtuesi i Kuvendit mund të zgjidhet edhe me votë të fshehtë. Por, ky realitet duhet të objektivizohët në një marrëveshje paraprake. Lidhur me këtë, kur ka qenë në pyetje aprovimi i Kushtetutës së RSFJ-ës (1974), nga Serbia ka pasë propozim që votimi të bëhet me votë të fshehtë. Dhe kur është kuptuar se edhe ai veprim nuk do ta ndalte aprovimin, atëherë dinakëria politike serbe, doli në skenë, dhe lajmëron tërheqjen e propozimit. Pra në ish shtetin e shkatërruar ka pasur kësi shembulli më 1974. Po tani, këtë dinakëri Kryesuesi i seancave dhe këshilltarët për rreth nuk po dijnë ta menagjojnë në rrafshin e psikologjsë së intrigantëve, dhe kështu telenovela do të vazhdon si: “këngë e vjetër”, por duke torturuar popullin gjithësesi.
Deri kur, nuk e dijnë se sa do të zgjatë kjo epidemi. Madje anash po qëndrojnë edhe juristët e Brukselit. E pse Presidentja nuk është më e ashpër, këtë fakt e dinë vetëm ajo.Si duket majorati me katër përfaqësues ende nuk e ka ekspozuar mallin për treg, sepse Donald Tramp e ka rritë taksën e patriotizmit, me vlerë të forcës së shtuar. Dhe pse partitë e Kosovës mos ta rrisin çmimin e tyre, po thonë në Beograd, sepse po iu pëlqen cirku. Po shtrohet pyetja: se në zgjedhjet që do të pasojnë, nëse nuk ka kompromis, a do të bankrotojnë të gjithë. Pra, nuk kalohet oqeani me almadë (lloj barke indase e ndërtuar nga koret e drurit). Nuk kalohet deti me lutje, para fortunave që po i shkaktojnë pikërisht partitë politike shqiptare. Pra, alopatia i ka përfshi të gjitha partitë, pa dallim. Ato tani po veprojnë në dobi të dëmit Kosovës si shtet. E një fakt po duket nga ajri. Dikush sot po e lufton shtetin e Kosovës për fotele pa vetëdije, ndërsa dihet se ka bërë luftë të drejtë me bindje të plotë. E dy të tjetët nuk janë as për ring e as për trajner të ekipeve. Të mos themi se lufta për pushtet, nëse zgjatë ky mazohizëm, po merr kolorit të ish okupatorit: krejt me qëllim për me i përça shqiptarët, me çdo mjet!!!
Mbi të gjitha e nominuara e deritashme për drejtues të Kuvendit, duhet ta thotë një fjalë historike: “Nuk kandidoj, sepse ata që më votuan, tani me sjelljet tona katërmujore janë të pafuqishëm politikisht. Parimet e mia edhe nëse më votoni një ditë, pas kësaj histerie nuk gjunjëzohëm, unë jam jashtë lojës suaj”. Po ku me gjetë këtë besë të sharruar në urrejtje, edhe kjo, kur as një lutje nuk e kupton,prej askujt!
PS:Pa respekt. Të gjitha partitë para suksesit janë të njejta, pra edhe para dështimit publik, janë mëkatare, sepse jetojnë së bashku me zemër ndriturit dhe zemër zinjët!