Në përvjetorin e masakrave të Dubravës dhe të Vushtrrisë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar njërat ndër krimet më makabre të pushtuesit serb ndaj popullit shqiptar.
“Prej 19 deri më 22 maj 1999, në burgun e Dubravës, mbi 130 të burgosur shqiptarë u vranë dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Masakra e Dubravës zbardhi fytyrën e vërtetë të gjenocidit serb – një përpjekje për zhdukjen e qenies shqiptare përmes spastrimit etnik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka përkujtuar edhe masakrën e 22 majit në Vushtrri, ku forcat serbe ekzekutuan pa mëshirë burra, gra, pleq e fëmijë.
“Trupat e 67 nga 68 të vrarët në rrugën ‘22 Maji’ u gjetën më vonë në varrezat masive në Serbi, gjatë viteve 2003-2012. Shteti serb vazhdon të mohojë të vërtetën dhe të refuzojë përgjegjësinë për krimet e luftës, ndërsa Kosova nuk ndalet në betejën për drejtësi”, ka theksuar Haradinaj.