Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një automjet të tipit Mazda, me targa të shtetit të Serbisë, në Graqanicë, ku ndodheshin tre persona të nacionalitetit serb, L.D., 23 vjeç, J.P., 23 vjeç dhe D.D., 22 vjeç.
Gjatë kontrollit të kryer ndaj veturës dhe personave, sipas policisë, janë gjetur disa afishe dhe mbishkrime me përmbajtje nacionaliste, si dhe një pajisje dron, që ndodhej brenda automjetit.
Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graqanicë, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale.
“Rasti është trajtuar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, dhe ndaj të dyshuarve është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale, “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” – sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.