Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla që është një prej drejtueseve të partisë “Guxo” e ka quajtur të papranueshme situatën, pas dështimit të 20-të që të konstituohet Kuvendi. Ajo tha se betejat politike bëhen për zgjedhjen e qeverisë e jo për kuvendin.
“Mua nuk më mbetet tjetër përveç të bëjë thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet sepse beteja politike bëhet për zgjedhje të qeverisë e jo për një temë që në fakt është e vetëkuptueshme. Kushtetuta ia njeh të drejtën ekskluzive fituesit të zgjedhjeve. Është seanca e 10 ku jemi duke votuar për procedura. Iu bëj thirrje deputetëve që mendojnë se qytetarët nuk e meritojnë këtë bllokadë që në seancën e ardhme të votojnë për zhbllokim. Do të duhej urgjentisht, më së largu pas 48 orësh të zhbllokohej kjo situatë”, tha Gërvalla.
Gërvalla që e ushtron postin e kryediplomatës në detyrë, tha se kjo situatë e dëmton imazhin e vendit.
Gërvalla tha se nuk ka informacione rreth atyre që ka thënë deputetja Balje se në këmbim të votës për haxhiun, pati oferta.
“Nuk kam asnjë informacion për këtë, por i bëj thirrje edhe zonjës Balje dhe zotëri Hoxhës të heqin dorë nga qasja bllokuese, sepse nuk jemi këtu në pazar ku shitemi e blihemi, është çështje parimore konstituimi i Kuvendit. Nuk kam informacione të tilla, unë nuk di për pazare të kësaj natyre. Di që ka pasur biseda të vazhdueshme për t’i vetëdijesuar që duhet të marrin pjesë në votimin e Kuvendit”, tha ajo.