Kryediplomatja në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla tha se rikthimi në dialog nuk është i nevojshëm, sepse dialogu nuk është ndërprerë asnjëherë. Këto deklarime i bëri pasi shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se duhet që të dyja palët të ulën në tavolinën e bisedimeve.
Por, sipas Gërvalles, takimet trilaterale janë larg, meqë thotë se Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes së shkurtit 2023, por edhe përmes ekstradimit të Radoiçiqit
“Rikthimi në dialog nuk është i nevojshëm sepse dialogun ne nuk e kemi ndërprerë asnjëherë. Në vazhdimësi Sorenseni ka qenë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ka pasur takime të vazhdueshme me zëvendëskryeministrin Bislimi. Bisedat tona nuk janë ndalur asnjëherë. Nëse ajo thotë rikthimi në dialog, ndoshta e ka fjalën për takime trilaterale, mirëpo jemi larg asaj. Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes së shkurtit 2023, por edhe përmes ekstradimit të Radoiçiqit. Në vazhdimësi Vuçiq iu jep premtime ndërkombëtarëve se do të arrestojë Radoiçiqin, mirëpo shkuan muaj e muaj dhe vite dhe s’ka lëvizje”, shtoi ajo.
Gërvalla tha të mos ketë asnjë pikë mirëkuptimi për të gjithë ata që kërkojnë që Kosova të bëjë lëvizje të mëtejme nëse s’janë të gatshëm të angazhohen që, siç tha ajo, një kriminel si Radoiçiqi i cili e ka sulmuar Kosovën me njësitë paramilitare, sot shëtitet i lirë nëpër Serbi dhe s’ka asnjë konsekuencë për Serbinë.
“Ne asnjëherë nuk e kemi refuzuar dialogun, gjithmonë jemi treguar konstruktiv. Por, jemi treguar parimor dhe nuk i shkelim parimet tona në dialog. Njohja e ndërsjellë është zgjidhja. Çështja e njohjes të jetë kryefjala e gjitha diskutimeve që bëjmë rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.