Partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” e ka dënuar incidentin e djeshëm që ndodhi në Mitrovicën e Veriut, gjatë të cilit dyshohet për përdorim të papërshtatshëm të forcës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj një maturanti.
“Përdorimi i mundshëm i forcës ndaj të rinjve, veçanërisht në momente simbolike siç është festimi i maturës, paraqet një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës”, ka deklaruar lideri i kësaj partie, Nenad Rashiq.
Sipas një reagimi, Rashiq ka thënë se ka zhvilluar një bisedë me ministrin në detyrë, Xhelal Sveçla dhe i ka kërkuar atij që të ndërmerren të gjitha masat e mundshme që raste të tilla të mos përsëriten.
Gjithashtu, Rashq ka bërë të ditur se të hënën do të paraqesë një kërkesë zyrtare në Inspektoratin Policor të Kosovës për një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës të të gjitha rrethanave të këtij rasti, në mënyrë që të përcaktohet përgjegjësia dhe të parandalohet përsëritja e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
“Partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta ndjekin me vëmendje këtë rast dhe të kontribuojnë në ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut, paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, theksohet në reagim.