Megjithatë sipas ministrit në detyrë, kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi.

“Ja si duket propaganda serbe:  Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje.  Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta! Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi”, shkroi, Sveçla, pas reagimeve të shumta nga pala serbe në Kosovë e Serbi lidhur me situatën e krijuar dje në Mitrovicën e Veriut.

Me këtë rast tha të ketë qenë i tronditur shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj përdorimin e tepruar të forcës të treguar sot nga një pjesëtar i PK-së kundër një djali të ri në Mitrovicën e Veriut”, kishte shkruar ai një ditë më parë, derisa, Lista Serbe, parti që mbështetet nga Beogradi ka kërkuar hetim rreth rastit.

Me flamuj serb, këngë nacionaliste e me provokime duke ngritur tre gishtërinj ishte përcjellë defilimi i maturantëve në Mitrovicën e Veriut një ditë më parë, për çka Policia thotë se reagoi për të parandaluar eskalimin e situatës.