Në dy raste të ndara në Ferizaj, policia ka hasur në përdorim dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 14:30, në një dasmë në fshatin Greme – Ferizaj.
“Pas pranimit të informatës për të shtëna me armë, njësitë policore dhe hetimore kanë dalë në vendngjarje ku, pranë shtëpisë së të dyshuarit M. Q, 40 vjeç, janë gjetur disa gëzhoja. Në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë me gaz”, njofton policia.
Rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 16:35, në rrugën “Musli Çeliku” në Ferizaj.
“Është raportuar për të shtëna me armë. I dyshuari A. B, 21 vjeç është identifikuar në vendngjarje dhe ka deklaruar se arma ishte e tij dhe se kishte shtënë gjatë një feste familjare”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit të shtetit, janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Gjuajtje me armë” dhe janë sekuestruar armët.
“Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.