Përfaqësues të shoqërisë civile kanë organizuar sot një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me moskonstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Në prag të nisjes së seancës së 22-të për përpjekjen e konstituimit të Legjislaturës së Nëntë, para hyrjes së Kuvendit janë vendosur disa ulëse me mbishkrime simbolike si: “Boll!”, “Kuvendi i Republikës, jo thjesht i partive”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Ne kemi shtet, por nuk kemi institucione” dhe “Loja juaj, pasojat tona”.
Në kuadër të këtij aksioni, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vendosur edhe orë të kurdisura, nga të cilat ka rënë alarmi – një simbolikë kjo për të alarmuar deputetët lidhur me nevojën urgjente për konstituimin e Kuvendit.
Ky aksion përfaqëson thirrje publike për reflektim dhe veprim nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur, me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional dhe vendosjes së funksionalitetit demokratik të Kuvendit.
Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot nga ora 11:00, në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit. Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës, megjithatë, deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete nga pozicionet fillestare të subjekteve politike.