Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë po zhvillohen homazhet në nderim të Artan Lames, i cili u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare pas një ndërhyrjeje në zemër në Gjermani.
Familjarë, miq, kolegë dhe figura publike i japin lamtumirën e fundit një personaliteti që për dekada me radhë kontribuoi në jetën institucionale, shoqërore dhe kulturore të vendit.
Homazhet do të vijojnë deri në mesditë, për t’u ndjekur më pas nga ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit.
Pjesë homazhe ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se vendi dhe shoqëria civile ka humbur një njeri që luftonte për kauzat e mëdha publike.
“Artan Lame ishte miku im i debateve konstruktive dhe miqësore. Vendit do i mungojë një njeri i ditur, që kishte mendim për gjithçka dhe vetëofrohej për kauza të mëdha publike e kombëtare. Vinte në shërbim jo vetëm njohjet dhe diturin, por dhe pasionin që kishte për t’i mbrojtur këto çështje. Shoqëria civile ka humbur një aktivist të shkëlqyer. Lame ishte një njeri unik, një intelektual dhe mbi të gjitha ishte një patriot i lindur që dinte të mbronte çështjet kombëtare”, tha Manja.
Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe e konsideroi Artan lamën si një “kujdestar i trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare”.
“Sot vendi ka humbur një kujdestar të rrallë të trashëgimisë kulturore dhe historike. Jam tërësisht i dërrmuar, do mbështes amanetin e tij për muzeun e koleksioneve dhe historisë e kulturës shqiptare që Lame e donte më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Gonxhe.
Gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Po ashtu ka qenë veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa ka dhënë edhe kontribut si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare.
Në vitin 2012, Lame u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.