Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneral major Enrico Barduani, hapi sot, në Selanik të Greqisë, konferencën e KFOR-it “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Konferenca, e cila do të zgjasë sot dhe nesër, mbahet në nder të shënimit të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (UNSCR) për `Gratë, Paqen dhe Sigurinë`.
Përmes një komunikate për medie KFOR bën të ditur se në këtë konferencë marrin pjesë mbi 60 pjesëmarrës, që përfaqësojnë aleatët dhe partnerët e NATO-s, derisa në këtë event, përveç organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, po marrin pjesë edhe institucionet në Kosovë.
Në fjalën e tij të hapjes, gjeneralmajor Barduani theksoi se eventi bashkon aktorë kryesorë ndërkombëtarë dhe rajonalë për të forcuar dialogun mbi paqen dhe sigurinë. Ai gjithashtu theksoi rolin vendimtar të grave në një sërë fushash, duke shtuar se gratë janë çelësi në promovimin e diversitetit të perspektivave në dialog, parandalimin e krizave dhe zgjidhjen e konflikteve.
“Në rolin e tij të rëndësishëm të sigurisë, KFOR-i është krenar që rrit kontributin kritik të grave në forcimin e bashkëpunimit rajonal, përmes një qasjeje të paanshme dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Komandanti i KFOR-it.
Në këtë konferencë morën pjesë shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ambasadorja Caroline Ziadeh, e cila kujtoi gjenezën e Rezolutës 1325 të OKB-së dhe praktikat më të mira të OKB-së për ta zbatuar atë.
Atifete Jahjaga, nga Kosova, e cila nënvizoi rolin e grave në mjediset e krizës dhe paraqiti disa përvoja personale, si themeluese e ‘Fondacionit JAHJAGA’, i cili i është përkushtuar fuqizimit të komuniteteve të margjinalizuara, nxitjes së pajtimit ndëretnik dhe avokimit për drejtësi sociale, që nga viti 2018.
Të ftuar të shquar kontribuan në punimet e sesionit të sotëm. Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ambasadorja Caroline ZIADEH kujtoi gjenezën e Rezolutës 1325 të OKB-së dhe praktikat më të mira të OKB-së për ta zbatuar atë.
Gjenerallejtënant Athanasios Garinis, komandanti i Korpusit të Dislokueshëm të Shpejtë të NATO-s-Greqi, ishte bashkorganizator i eventit, i cili foli për rolin e rëndësishëm që luajnë personeli gra në Korpus.
Së fundmi, përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Irene Fellin, e cila, përmes videokonferencës, përcolli përshëndetjet dhe mirënjohjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për këtë iniciativë të rëndësishme të KFOR-it, duke shtuar se “…mësimet nga luftërat dhe krizat e kaluara dhe të vazhdueshme na kujtojnë urgjencën e zbatimit të agjendës WPS. Udhëheqësit politikë, institucionalë dhe të komunitetit kanë secili një rol për të luajtur në nxitjen e këtij ndryshimi transformues”.
“NATO njeh ndikimin joproporcional që konflikti ka tek gratë dhe vajzat, rolet jetësore që gratë luajnë në paqe dhe siguri, dhe rëndësinë e përfshirjes së perspektivave gjinore në të gjitha ato që bën Aleanca. Axhenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë u lançua më 31 tetor 2000 me miratimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tani përfshin nëntë Rezoluta shtesë (1820, 1888, 1889, 1960, 2106, 2122, 2422, 2467 dhe 2493). Koncepti Strategjik i NATO-s për vitin 2022 – dokumenti udhëzues i Aleancës për dekadën e ardhshme – thekson rëndësinë ndërsektoriale të integrimit të axhendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë (GPA) në të gjitha detyrat kryesore të NATO-s (parandalimi dhe mbrojtja, parandalimi dhe menaxhimi i krizave dhe siguria bashkëpunuese), dhe deklaron se NATO do të vazhdojë të përparojë barazinë gjinore si një pasqyrim i vlerave të saj”, thuhet në komunikatë.