UNESCO ka bërë rekomandim zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës, Rezervat Biosfere. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Turizmit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, sipas së cilës ky rekomandim ka ardhur pas një pune intensive jo vetëm të institucionit që ajo drejton, por edhe të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe specialistëve.
Ministrja shton se, në muajin shtator pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore.
“Ditë të mbarë me një lajm që na mbush me emocion dhe krenari: UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere. Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës. Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm. Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, shkruan Kumbaro në rrjetin social Facebook.
Shqipëria dorëzoi në muajin shtator pranë UNESCO-s kërkesën për përfshirjen e Parkut Kombëtar të lumit Vjosa në pasuritë natyrore botërore brenda programit “Njeriu dhe biosfera”.