REL
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës më 29 maj anuloi ligjet për regjistrin e posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse në Republikën Sërpska (RS) për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e funksionimit të institucioneve jokushtetuese të Bonjës, si dhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së.
Kushtetuesja gjithashtu anuloi ndryshimet në Kodin Penal të këtij entiteti në Bosnje, me të cilat ishte përcaktuar një vepër e re penale: “mosrespektimi ose moszbatimi i vendimeve të institucioneve apo organeve të RS-së”.
Kuvendi Popullor i RS-së kishte miratuar një ligj që synonte të kontrollonte punën e organizatave joqeveritare, por Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vlerësoi se ai ishte “pothuajse identik në përmbajtje” me Ligjin për agjentët e huaj në Rusi, të cilin e ka kundërshtuar Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës në vendimin e saj konstatoi se kategoritë “organizata jofitimprurëse”, “agjentë të huaj” dhe “veprimtari dhe aktivitete politike” janë formuluar tepër gjerësisht.
“Kjo u mundëson autoriteteve publike që çdo aktivitet të organizatave të shoqërisë civile ta cilësojnë si të ndaluar dhe ta sanksionojnë”, theksoi Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, duke shtuar se si sanksione janë paraparë ndalimi i veprimtarisë dhe përgjegjësia penale e personave përgjegjës.
Sa i përket Ligjit të entitetit të RS-së për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e funksionimit të institucioneve jokushtetuese të Bonjës, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se ky ligj përjashton plotësisht zbatimin e Ligjit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, Ligjit për Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), Ligjit për Gjykatën e Bosnjës dhe Ligjit për Prokurorinë e Bosnjës. Edhe ky ligj u shpall i pavlefshëm.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës deklaroi se “kthimi” i kompetencave te entitetet, të cilat më parë janë përcaktuar si kompetenca të nivelit shtetëror të Bosnje e Hercegovinës, “nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës”, por theksoi se “për këtë çështje ka kompetencë ekskluzive Kuvendi i Bosnje e Hercegovinës”.
Gjykata theksoi se me atë ligj “de facto dhe de jure mohohet sovraniteti i shtetit të Bosnje e Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj dhe kompetencat në fushën e drejtësisë dhe sigurisë”.
Për shkak të miratimit të atij ligji, Prokuroria e Bosnjës ka hapur një hetim ndaj udhëheqjes së entitetit të RS-së për minim të rendit kushtetues të Bosnjës, dhe ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për shkak të mosparaqitjes në Gjykatën e Bosnjës, ndërsa u janë shqiptuar edhe sanksione ndërkombëtare.
Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal të RS-së dhe përcaktimit të “mosrespektimit ose moszbatimit të vendimeve të institucioneve apo organeve të RS-së” si vepër penale, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës theksoi se dispozita e kontestuar është formuluar aq gjerësisht, saqë parashikon përgjegjësi penale për moszbatimin e çdo vendimi të çfarëdo institucioni apo organi të RS-së, pa marrë parasysh se cilat vlera shoqërore janë të rrezikuara në rastin konkret.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës nënvizoi se nga dispozitat e kontestuara rezulton se të gjitha vendimet e të gjitha organeve dhe institucioneve të RS-së janë të detyrueshme, pavarësisht nëse janë të formës së prerë, kushtetuese apo të ligjshme.
“Së fundi, me dispozitën e kontestuar vendoset një supremaci e vendimeve të entitetit RS-së mbi vendimet e organeve dhe institucioneve shtetërore, të cilat në rendin juridik në aspektin e hierarkisë janë mbi organet e entitetit, dhe rregullohet çështja e sjelljes së personave të punësuar në institucionet e Bosnjës, çka është kompetencë ekskluzive e nivelit shtetëror”, u tha në vendimin e Gjykatës, që anuloi këto ndryshime ligjore.
Kuvendi Popullor i RS-së i miratoi ligjet e kontestuara pas aktgjykimit jo të formës së prerë ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik.
Dodik u shpall fajtor në shkurt për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, si dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidti i kishte anuluar më parë.
Me këto ligje synohej të pengohej zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë në territorin e RS-së, të cilët më herët kishin rrëzuar ligje të miratuara nga parlamenti i entitetit, që lidhen me regjistrimin e pasurisë shtetërore në pronësi të entitetit apo me ligje për festat zyrtare.
Avokati i Dodikut dhe Prokuroria e Bosnjës janë ankuar ndaj aktgjykimit, ndërsa Këshilli i Apelit e ka caktuar fillimin e rigjykimit më 12 qershor, pas së cilës do të dihet edhe aktgjykimi përfundimtar.