Sheshi para Teatrit “Migjeni” në Shkodër është kthyer në një kantier festiv, ku po punohet për ndërtimin e skenës për edicionin e 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.
Evenimenti i rëndësishëm kulturor do të zgjasë tri net, duke filluar më 30 maj dhe duke kulmuar më 1 qershor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Kjo traditë vazhdon… interesi çdo ditë e më shumë i prindërve që drejtojnë fëmijët drejt qendrës kulturore. Ne jemi në aktivitet gjatë gjithë vitit, pra, nuk është se presim thjesht Festivalin për të angazhuar fëmijët e talentuar të Shkodrës,” thotë Orjeta Kelaj, drejtoresha e Festivalit.
Festivali i këtij viti sjell prurje cilësore nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa fituesi i kategorisë 9–14 vjeç do të ketë privilegjin të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest.
“Sivjet është paksa e veçantë. Edhe prurjet kanë qenë më të mëdha, më cilësore. Jemi munduar t’i ndajmë në dy kategori, duke ruajtur paksa traditën, por duke dhënë edhe të renë,” tregon Roland Guli, udhëheqësi artistik.
Aplikimi i regjisë skenike do të jetë një tjetër risi e Festivalit, që ndërthurur me skenarin pritet t’i japin ngjyra tri netëve të tij.
“Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme që në regji skenike të bëj jo vetëm pjesën e fantazisë si regjisore, por njëkohësisht të harmonizoj artin e Shkodrës, të zërave të fëmijëve, me regjinë skenike,” shprehet regjisorja skenike Klaudia Mikeli.
“Festivalin do ta prezantojmë unë dhe një aktor tjetër. Do të ketë elemente shumë të bukura të prezantimit të secilës këngë. Fëmijët bashkë me publikun do t’i fusim në një botë magjike,” thotë bashkëskenaristja Edona Reshitaj.
Disa nga emrat e shquar të muzikës shqiptare do të ngjiten në skenën e festivalit për ta përshëndetur atë. Festivali i Fëmijëve nuk është thjesht një festë muzikore për të vegjlit, por edhe një ngjarje e rëndësishme kulturore për Shkodrën dhe mbarë vendin.
Tri netët e tij do të transmetohen ekskluzivisht për shikuesit e rrjetit të RTSH.rtsh