Policia ka njoftuar se sot në Leposaviq ka gjetur pa shenja jete një grua në shtëpinë e saj në fshatin Dobrava, pasi është detyruar të hapë derën me forcë pas kërkesës së stafit mjekësor që nuk kishte arritur të kontaktonte me të.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “më datë 30.05.2025, rreth orës 13:48, Policia në Leposaviq është njoftuar nga stafi mjekësor, i cili kishte shkuar në fshatin Dobrava te Leposaviqit për të vizituar një paciente që ndodhej nën trajtim mjekësor”.
“Sipas informatave të para, me të arritur në vendin e ngjarjes, personeli mjekësor ka hasur në derën e mbyllur të shtëpisë dhe nuk ka arritur të vendosë kontakt me personin në fjalë, për çka ka kërkuar asistencën e Policisë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore.
“Meqë dera nuk është hapur, Policia është detyruar ta hapë atë me forcë. Brenda në një nga dhomat e shtëpisë, në shtrat, është gjetur e shtrirë një femër pa shenja jete. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës – femër, O.M., e lindur në vitin 1949”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.