Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e deritanishme të negociuara nga Brukseli.

 

“Në fakt nuk ka dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por ka dialog mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk shkojnë përfaqësuesit e qyteteve por përfaqësuesit e qeverive të dy vendeve. Dialogu në Bruksel ka pasur dy objektiva kryesore: objektiva e parë është normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe objektiva e dytë është mbështetja e palëve në zbatimin e marrëveshjeve paraprake. Ndërkohë kemi pasur ndërhyrje nga vendet mike me një marrëveshje të ndërmjetme e cila njihet si “Marrëveshja Bazike e Brukselit” apo “Marrëveshja e Ohrit” e cila përfshin edhe marrëveshjet e tjera paraprake”, tha ai për DW.

Sipas tij, pjesa më e madhe e konfuzionit që është krijuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe rrjedh nga mosnjohja e detajeve. Ka shumë pak njohuri rreth asaj që përmban kjo marrëveshje.

“Këtu lindin pastaj dhe ndikimet në imazhin e Kosovës. Për dijeninë tuaj, në marrëveshjen e vitit 2013 ishte rënë dakord që Kosova do të themelojë një grup pune i cili kishte për detyrë që të prezantojë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë ekip është dashur që të jenë 4 anëtarë, të gjithë anëtarë të komunitetit serb të cilët në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë e Pushtetit Lokal të prezantojnë në Bruksel gjetjet e tyre për draft-statutin e Asociacionit. Kjo ka ndodhur në vitin 2013 dhe për dijeninë tuaj ky ekip i cili është kontrolluar tërësisht nga Beogradi nuk ka propozuar kurrë një draft-statut deri në vitin 2024. Domethënë si mund të fajësohet Kosova për një proces i cili ka ngecur në një moment, komplet përgjegjësi për përgatitjen e dokumentit që duhet të hynte në fazën tjetër, i cili është anulluar nga anëtarët e komunitetit serb”, tha ai.